- Vizitorë të Website-eve
- Anëtarë të Bashkësisë
- Veçori Ndërvepruese Produkti
- Mbrojtja e Disa të Dhënave Identifikimi Personal
- Përditësimi i të Dhënave të Identifikimit Personal
- Cookies dhe Piksela Gjurmimi
- Procedura Opt-out
- Ndryshime të Rregullave të Vetësisë
- Për Më Tepër të Dhëna
Këto rregulla vetësie kanë të bëjnë me site-et dhe shërbimet Web të Mozilla Europës. Për produktet tona kemi të tjera rregulla vetësie (p.sh., Rregulla Vetësie për Mozilla Firefox-in).
Vizitorë të Website-eve
Me përjashtim të rasteve të përshkruara më poshtë, Mozilla nuk grumbullon apo kërkon nga vizitorët e site-eve të veta Web të japin të dhëna identifikimi personal, të tilla si emra, vendndodhje email, dhe numra telefonash. Si shumica e operatorëve të site-eve Web, Mozilla mbledh të dhëna që nuk identifikojnë personin, të cilat shërbyesat dhe shfletuesat web i lejojnë të mblidhen, e që janë lloji i shfletuesit, parapëlqimet për gjuhën, site-i referues, si edhe koha dhe data e secilës kërkesë nga ana e një vizitori. Mozilla grumbullon gjithashtu të dhëna që, në mundësi, mund të shërbenin për identifikim personal, të tilla si vendndodhje Protokolli Internet (Internet Protocol - IP), të cilat, në vetvete, janë joidentifikuese të personit, por mund të përdoren bashkë me të dhëna të tjera për identifikim personal të përdoruesve.
Qëllimi i mbledhjes së këtyre të dhënave nga Mozilla është të kuptuarit më mirë të mënyrës se si vizitorët e Mozilla-s përdorin site-et e saj Web. Për këtë qëllim, Mozilla mund të ndajë me të punësuarit e vet, kontraktuesa, ofruesa shërbimesh, dhe nëndegë të vetat apo organizma të afërt, të dhëna që munden të identifikojnë personalisht dikë. Mozilla mund edhe të bëjë publike të dhëna vizitorësh të cilat nuk identifikojnë personalisht (p.sh., duke botuar një raport mbi tendencat e përdorimit të site-it Web). Hiq raste të tilla, Mozilla nuk do të bëjë publike të dhëna identifikimi potenciale, me përjashtim rastesh të njëjta me bërjen publike nga Mozilla të dhënash identifikimi personal. Këto raste shpjegohen më poshtë.
Kur përdorni site-et web të Mozilla-s dhe përdorni shërbimet tona, pajtoheni me sa më poshtë:
Mozilla Europe, 28 rue Viala 75015 Paris, Francë, mund t'i përpunojë të dhënat tuaja personale. Mund t'i lejojmë Fondacionit Mozilla, 650 Castro Street, Suite 300, Mountain View, CA, 94041-2021, USA, apo nëndegëve të tij, hyrje në të dhënat tuaja personale, nga nevoja për të ofruar shërbimet tona në website-in(et) tanë.
Mozilla Europa dhe Fondacioni Mozilla të dhënat tuaja identifikuese personale i përpunon për të bërë të mundur shërbimet që Mozilla ofron në përputhje me parimet e shtjelluara në këto Rregulla Vetësie.
Anëtarë të Bashkësisë
Disa anëtarë të bashkësisë Mozilla (pjesëmarrësa, klientë, etj.) zgjedhin të ndërveprojnë me Mozilla-n në rrugë të cilat ia bëjnë të nevojshme Mozilla-s dhe të tjerëve të mësojnë më shumë rreth tyre. Sasia dhe lloji i të dhënave që Mozilla mbledh nga këta anëtarë varet nga natyra e ndërveprimit. Për shembull, anëtarëve që duan të postojnë lëndë për një pjesë të caktuar të site-eve Web të Mozilla-s, ose të marrin pjesë në fjalosje të drejtpërdrejta, u kërkohet të japin emra përdoruesi që identifikojnë se ajo lëndë është postuar nga një anëtar i caktuar. Mozilla mbledh të dhëna personale identifikimi vetëm aq sa është e nevojshme për të plotësuar qëllimin e ndërveprimit të anëtarëve të bashkësisë me Mozilla-n.
Mozilla është organizëm i hapur, që beson në ndarjen me të tjerët të sa më shumë të dhënave që të jetë e mundur rreth produkteve të veta, veprimeve dhe lidhjeve të saj. Në përputhje me këtë, anëtarët e bashkësisë do të duhej të merrnin të mirëqenë - siç do të duhej të bënin edhe shumica e atyre që ndërveprojnë me Mozilla-n - që çdo e dhënë personale identifikuese dhënë Mozilla-s do të bëhet e passhme për publikun. Ka tre përjashtime të përgjithshme nga ky rregull:
- Mozilla nuk bën publike të dhënat që përdoren për mirëfilltësim përdoruesish, publikimi i të cilave do të dëmtonte sigurinë e site-eve Web të Mozilla-s (p.sh., fjalëkalime).
- Mozilla mbledh të dhënat personale identifikuese të përdorura për organizim veprimtarish ku marrin pjesë anëtarë të bashkësisë. Të dhënat e mbledhura përmes formularësh web nuk përdoren për qëllim tjetër veç organizimit të veprimtarive të mbajtura nga Mozilla në Europë. Të dhënat e mbledhura mbahen për një periudhë kohore pesëmujore, dhe kjo zyrtarisht e deklaruar në CNIL, organizmi frëng jofitimprurës që merret me zbatimin e Aktit të Mbrojtjes së të Dhënavedhe udhëzimet europiane lidhur me mbrojtjen e individëve, për sa i takon përpunimit të të dhënave personale dhe qarkullimit të lirë të të dhënave të tilla. Përdoruesit kanë të drejtë të kërkojnë t'i shohin, saktësojnë, e po aq edhe t'i fshijnë të dhënat e tyre personale identifikuese të depozituara në këtë zbatim, duke u lidhur me privacy TE mozilla-europe PIKË org.
- Mozilla nuk bën publike të dhëna për të cilat, gjatë mbledhjes, ka premtuar qartazi se do t'i mbajë sekrete.
Jashtë këtyre tre konteksteve, përdoruesit do të duhej të pranonin si të mirëqenë që të dhënat personale identifikuese të furnizuara përmes site-eve Web të Mozilla-s do të bëhen të passhme publikisht.
Veçori Ndërvepruese Produkti
Disa produkte Mozilla përmbajnë mekanizma që raportojnë, ose u lejojnë përdoruesve të raportojnë, modele përdorimi dhe probleme të përdoruesit - qofshin këto nga software Mozilla, apo nga software palësh të treta, ose site-e Web palësh të treta karshi Mozilla-s. Raportet e prodhuara nga këta mekanizma, zakonisht, përmbajnë të dhëna personale joidentifikuese, të tilla si formësimi i kompjuterit të përdoruesit dhe fragmente programi që xhironte në kohën kur ngjau problemi. Disa prej këtyre mekanizmave u japin përdoruesve mundësinë e dhënies së të dhënave identifikuese personale, pa qenë kjo e domosdoshme për ndonjërin prej këtyre mekanizmave. Disa mekanizma software-i Mozilla që u lejojnë përdoruesve të japin të dhëna identifikuese personale i njoftojnë, që më parë, që të tilla të dhëna nuk do të bëhen të passhme publikisht. Mozilla i analizon të dhënat e prura nga të tillë mekanizma ndërveprues për të bërë të mundur një kuptim më të mirë të asaj se si po ia dalin mbanë produktet e saj, dhe se si po përdoren ato. Ajo nuk i përdor të dhënat për të gjurmuar përdorimin e produkteve të saj nga individë të identifikueshëm.
Mbrojtja e Disa të Dhënave Identifikimi Personal
Kur Mozilla mbledh të dhëna identifikuese personale që hyjnë në një nga tre përjashtimet e përshkruara te ndarja Anëtarë Bashkësie, më sipër, këto të dhëna mund t'ua hapë vetëm nëpunësve të saj, kontraktuesve të saj, mundësuesve të shërbimeve, nëndegëve të saj dhe organizmave të afërt, të tillë si Mozilla Corporation dhe Fondacioni Mozilla, të cilët kanë nevojë t'i njohin këto të dhëna që të mundin t'i përpunojnë ato për llogari të Mozilla-s, dhe që kanë pranuar të mos ua hapin të tjerëve. Disa nga këta nëpunës, kontraktues,mundësues shërbimesh, nëndegë dhe organizma të afërt mund të gjenden jashtë vendit tuaj; duke përdorur site-et Web të Mozilla-s, lejoni heshturazi shpërnguljen e të dhënave tuaj drejt vendesh të tjera, të tilla si Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të ofrojnë një tjetër shkallë mbrojtjeje të dhënash nga ajo e vendit tuaj. Mozilla nuk ia jep me qera, apo shet njeriut, të tilla të dhëna. Veç nëpunësve të vet, kontraktuesve, mundësuesave të shërbimeve, nëndegëve dhe organizmave të afërt me të, si përshkruhet më sipër, Mozilla i hap të tilla të dhëna vetëm kur i kërkohet nga ligji ta bëjë këtë, ose kur Mozilla beson se hapja është në mënyrë të arsyeshme e domosdoshme për mbrojtjen e pronësisë apo të të drejtave të Mozilla-s, të anëtarëve të bashkësisë Mozilla, ose të publikut në përgjithësi. Mozilla merr tërë masat në mënyrë të arsyeshme të nevojshme për mbrojtje kundër hyrjes së paautorizuar në to, përdorimit, ndryshimit ose shkatërrimit të të dhënave të tilla.
Përditësimi i të Dhënave të Identifikimit Personal
Mozilla u lejon përdoruesve të shqyrtojnë, përditësojnë, saktësojnë dhe heqin lirisht të dhënat e tyre identifikuese personale të mirëmbajtura nga Mozilla. Për ta bërë këtë, përdoruesit do të duhej të gjenin lidhjet apo të dhëna kontaktesh në cilindo site Web Mozilla që përmban të dhëna të tilla (p.sh., përdoruesit e Bugzilla-s do të duhej të shihnin te Rregullime Llogarie). Përdoruesit gëzojnë të drejtën të kërkojnë shqyrtimin, ndreqjen, si edhe fshirjen e të dhënave të tyre identifikuese personale të depozituara nga zbatimet web të administruara nga Mozilla Europa, përmes lidhjes me privacy TE mozilla-europe PIKË org
Cookie-t dhe Piksela Gjurmimi
Ç'janë Cookie-t?
Një cookie është një varg të dhënash që një site Web e depoziton në kompjuterin e vizitorit, të cilin shfletuesi i vizitorit ia kthen site-et Web sa herë që vizitori rikthehet aty. Shumica e site-eve Web të njohur përdorin cookies. Meqë shfletuesi i jep këto të dhëna cookie te site-i Web gjatë çdo vizite, cookie-et shërbejnë si një lloj etikete e cila i lejon një site-i Web të "njohë" një shfletues kur ky rikthehet te site-i. Emri i përkatësisë te cookie-et e Mozilla-s identifikon qartë lidhjen me Mozilla-n dhe, kur ka vend, mundësuesin palë të tretë të shërbimit.
Ç'janë Pikselat e Gjurmimit?
Pikselat e gjurmimit (të njohur edhe si fare web) përdoren të ndërthurur me cookie-et, për të ndihmuar operatorët e site-eve Web të kuptojnë se si ndërveprojnë vizitorët me site-et e tyre Web. Pikseli gjurmues zakonisht është një pamje grafike e tejdukshme (zakonisht 1 piksel x 1 piksel) që vendoset te site-i. Përdorimi i pikselit gjurmues i lejon site-it të masë veprimet e vizitorit që hap faqen e cila përmban pikselin gjurmues. Kjo e bën më të lehtë ndjekjen dhe regjistrimin e veprimtarive të një shfletuesi të pranuar, të tilla si shtegu i faqeve të vizituara në një site Web.
Si i Përdorim Cookie-t dhe Pikselat Gjurmues.
Site-et Web të Mozilla-s i përdorin cookie-et për të ndihmuar Mozilla-n të identifikojë dhe gjurmojë vizitorët, përdorimin nga ana e tyre të site-eve Web Mozilla, dhe parapëlqimet e tyre për hyrje në site-et e Mozilla-s rast pas rasti, si dhe vizitat te site-et Web të Mozilla-s. Site-et Web dhe reklamat që Mozilla, me raste, mund të hedhë në qarkullim në rrjete palësh të treta, munden po ashtu të përdorin piksela gjurmues për këto qëllime. Ideja bazë është të grumbullohen të dhëna rreth asaj se si i përdorin njerëzit site-et Web të Mozilla-s. Termi i përdorur zakonisht për këtë është "analitikë web", e cookie-et dhe pikselat gjurmues janë mjete me të cilat i zoti i një site-i web mbledh të dhënat e tij analitike.
Mozilla do t'i përdorë të dhënat analitike web vetëm për të përcaktuar modele përdorimi për site-et tona Web si përshkruhet më sipër. Site-et Web Mozilla e bëjnë këtë duke përdorur ose programe të vetat analize, ose duke ua dërguar të dhënat mundësuesve palë të treta të shërbimeve, që ndihmojnë Mozilla-n të analizojë këto të dhëna. Site-et Web Mozilla që përdorin mjete palësh të treta për analitikë web tregohen këtu. Mozilla ka marrëveshje me mundësues palë të treta shërbimesh, sipas të cilave, ata nuk do t'i ndajnë këto të dhëna me të tjerë, e as do të përdorin të dhënat për qëllime të tjera nga ato të mirëmbajtjes së shërbimeve që i ofrojnë Mozilla-s. Është e mundur t'u lidhësh të dhënave identifikuese personale cookie dhe piksela gjurmimi, duke u lënë dorë të lirë operatorëve të site-eve Web, përfshi edhe mundësuesat tanë palë e tretë të analitikës, të gjurmojnë lëvizjet e individëve të veçantë. Mozilla këtë nuk e bën, dhe mundësuesave të saj palë e tretë të shërbimeve nuk u lejohet të përshoqërojnë të dhëna nga Mozilla me çfarëdo të dhënash të tjera.
Mozilla i përdor të dhënat e mbledhura nga cookie-et dhe pikselat gjurmues për të kuptuarit më mirë të mënyrës se si vizitorët e Mozilla-s përdorin site-et Web të saj, dhe për të lehtësuar ndërveprimin e këtyre vizitorëve me site-et Web Mozilla. Mozilla mund t'i bëjë të dhënat e përftuara nga analitika web (përfshi edhe ato nga mundësuesit tanë palë të treta të analitikës, nëse ka vend) të passhme publikisht. Nëse këto të dhëna bëhen të passhme, asnjë prej të dhënave nuk do të jetë e dhënë identifikimi personal ose potencialisht e dhënë identifikimi personal.
Si të Kontrollohet Përdorimi i Cookie-ve. E keni mundësinë të pranoni apo të hidhni tej cookie-et. Vizitorët e Mozilla-s që nuk dëshirojnë t'u vendosen në kompjutera cookie nga Mozilla, nga kontraktuesit e saj, ose nga mundësues palë e tretë shërbimesh, duhet ta rregullojnë shfletuesin e tyre të hedhë poshtë cookie përpara se të lidhen me site-et Web të Mozilla-s. Pa ndihmën e cookie-ve, disa veçori të site-eve Web të Mozilla-s mund të mos punojnë si duhet.
Procedura Opt-out
Po qe se nuk doni të lejoni që të dhënat e vizitave tuaj në site-et Web të Mozilla-s të mblidhen dhe analizohen nga Mozilla (apo mundësuesit e saj palë të treta për analitikën, nëse përdorni www.mozilla.com) mund të përdorni mekanizmat opt-out të radhitur këtu.
Ndryshime të Rregullave të Vetësisë
Mozilla, kohë pas kohe, mund t'i ndryshojë Rregullat e veta të Vetësisë. Çdo ndryshim veç e veç, dhe të tëra tok, do të pasqyrohen në këtë faqe. Ndryshimet thelbësore do të bëhen të ditura po ashtu përmes mekanizmash standard me anën e të cilëve Mozilla komunikon me bashkësinë Mozilla, përfshi listën e postimeve të “lajmërimeve” të Mozilla-s dhe grupin e lajmeve.
Duke përdorur site-et Web, ju pajtoheni me termat dhe kushtet e këtyre rregullave të vetësisë. Nëse nuk pajtoheni me termat dhe kushtet e këtyre rregullave të vetësisë, ju lutemi mos i përdorni site-et Web. Se kur qenë riparë herën e fundit këto rregulla vetësie, mund ta përcaktoni duke parë legjendën "Përditësuar Së Fundmi” në krye të kësaj faqeje. Cilido ndryshim i këtyre rregullave të vetësisë do të hyjë në fuqi pas postimit nga ana jonë të rregullave të rishikuara të vetësisë në site-et Web. Duke përdorur site-et Web në vijim të një ndryshimi çfarëdo, ju pranoni rregullat e rishikuara të vetësisë në fuqi në atë kohë.
Për Më Tepër të Dhëna
Nëse keni pyetje rreth këtyre regullave të vetësisë, ju lutem lidhuni me ekipin e Mozilla-Europës te privacy TE mozilla-europe PIKË org.