Një Rrugë Më e Mirë Për Në Web

Ose, çfarë mund të bëjë për ju një shfletues me burim të hapur dhe bazuar te bashkësia.

Ç'është software-i rganik?

Krahasuar me shoqëri software-esh, ne jemi ca ndryshe. Termin ‘software organik’ e përdorim për të përmbledhur rrugët e ndryshme të cilat bëjnë dallimin mes nesh dhe të tjerëve:

Produkti ynë më i mirënjohur, Firefox-i, është krijuar nga një lëvizje ndërkombëtare shumëmijëshe, prej të cilëve vetëm një përqindje e vogël janë të punësuar.

Nxitja na vjen prej misionit tonë për përhapjen e të qenit të hapur, risisë dhe mundësive në web, në vend se nga qëllime biznesi si përfitimi apo çmimi i aksioneve (E dini çfarë? Ne nuk kemi fare aksione).

Dhe si organizëm për të mirën publike, jofitimprurës, e masim suksesin me kutin e formimit të bashkësive dhe pasurimit të qenies njerëzore. Besojmë në fuqinë dhe mundësitë e Internetit dhe duam ta shohim të lulëzojë për këdo, kudo.

Firefox girl

Ç'është Burimi i Hapur?

Kjo mund të duket marrëzi në fillim, por na jepni të drejtë: besojmë se sa më shumë veta të dinë “sekretet” tona, aq më mirë.

E kështu, ia paraqitëm botës kodin burim të Firefox-it – tërë yçklat që e bëjnë të funksionojë – dhe nxitëm këdo t'i hedhë një sy.

Disa panë gjëra që duheshin ndrequr e i ndreqën. Të tjerë patën idera për veçori të reja dhe i vunë në jetë. E të tjerë më tej morën kodin, zbatuan mbi të risi të tyret dhe krijuan produkte tërësisht të reja (dhe tërheqëse).

Morali i përrallës? Të qenët i hapur do të thotë që mund të ndodhin gjëra të mira. Kushdo mund të fusë hundët prapa perdeve tona…në fakt, nuk ka fare perde gjëkundi.

E ç'ju hyn në punë?

Mund të mos jemi shoqëri e zakonshme, por prapëseprapë dimë si të përqendrohemi te thelbi i çështjes: të bërit e web-it më të mirë për ju.

Të qenët i hapur do të thotë që ideja tjetër me brumë mund të vijë nga cilido prej mbarë botës, në vend që thjesht të presim nga pak duzina nëpunësish në zyrat e shoqërisë. Po të shihet puna kështu, pse atëherë ta bëjmë ndryshe?

Gjithë ky muhabet mbi software organik dhe burim të hapur në fund të fundit do të thotë shfletues më i mirë për ju dhe 130 milionë përdoruesa të rregullt të Firefox-it. Do të thotë cilësi më e lartë, produkt më i sigurt. Do të thotë risi, liri dhe mbështetje për një Internet i cili mund të kihet nga të gjithë.